Synimet dhe qëllimet

Synimet e ISEAL-it

ISEAL-i ka si synim të zhvillojë e të forcojë lidhjet midis Zvicrës dhe shqiptarëve, të ndihmojë integrimin e shqiptarëve në Zvicër, të bëhet një partner i njohur prej autoriteteve të Zvicrës, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë për të gjitha çështjet në lidhje me komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe të shërbejë si pikë referimi për vende të tjera ose organizata evropiane e ndërkombëtare që interesohen për çështjet shqiptare.


Qëllimet e ISEAL-it

Të përcaktojë fusha kërkimi në lëmenj të gjerë, si: sociologji, ekonomi, drejtësi, politologji, gjeografi, kulturë, histori, teologji dhe studime gjinore-gender, si dhe në integrim, formim dhe shkollim të shqiptarëve në Zvicër.

Të botojë vepra, periodikë dhe tekste, si të bashkëpunëtoreve e bashkëpunëtorëve të ISEAL-it, ashtu edhe të personave jashtë ISEAL-it, botime këto, rëndësia dhe vlerat e të cilave dalin të padiskutueshme.

Të lidhet me bashkëpunëtore dhe bashkëpunëtorë me përvojë të pasur në formim, në mënyrë që të japin mësim, module formimi dhe konferenca.

Të jetë në shërbim të integrimit të shqiptarëve në Zvicër, duke bashkëpunuar ngushtë dhe konkretisht në terren me organizma dhe shoqata që punojnë në këtë drejtim.

Të kuptojë më mirë, nëpërmjet studimesh krahasuese, fqinjët ballkanas të shqiptarëve, si: serbët, grekët, malazeztë, maqedonasit, boshnjakët, turqit, romët, goranët etj.

Të zhvillojë strategji dhe mendime rreth formimit dhe arsimimit të fëmijëve shqiptarë në Zvicër.

Të bëjë të mundshme një njohje të Zvicrës dhe institucioneve të saj nga shqiptarët.

Të ndihmojë studimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Të organizojë konferenca, simpoziume, ekspozita, forume, diskutime, manifestime kulturore dhe sportive.